Shkruar nga Sadik Krasniqi poeti brilant. 22-4-20013

QASJE

SADIK KRASNIQI

DREJT RENOMESË BOTËRORE

 

(Për pikturat dhe portretet e Shefqet Avdush Eminit)

 

  Njohja personale gjatë një vere shumë të nxehtë para disa vitesh në “Rings” në Prishtinë me Shefqet Avdush Eminin, i parapriu njohjes së mëtejshme të këtij personaliteti prej artisti e piktori të veçantë, të suksesshëm dhe shumë të njohur, që jeton dhe krijon në Holandë.

Pamja e tij pedante prej krijuesi, me një mjekër karakteristike dhe të bukur, lidhur me një tojë, të folurit e prajshëm dhe me kompetencë e elokuencë profesionale për artin e pikturimit linin mbresa në atë bisedë. Pikturat e tij në ekspozitat e shumta dhe të shpeshta në vende të ndryshme zinin vend në të gjitha mediat informative, gazeta, revista, si dhe në mediat online.

  Qasja e Eminit ndaj artit m'u bë e pashmangshme si një ritual i përhershëm. Ritual kënaqësie dhe estetike, që shijohet e përjetohet këndshëm e mahnitshëm.

  Artin figurativ të këtij krijuesi e karakterizon intensiteti kreativ. Arsenali i veprave të tij është tejet voluminoz. Temat dhe motivet janë të shumta, në kohë dhe hapësirë universale. Me gjithë këtë universalizëm, arti i tij mban një fije fillese, e lindur diku në etninë dhe vendin nga vjen ky artist. Kjo fije sikur e mban lidhur këtë piktor me përkatësinë e vet kombëtare dhe atdhetare, jo si konservatorizëm dhe provincializëm, por si perspektivë, vizion dhe vlerë universale. E gjithë këtë e bën falë talentit, punës, njohurisë dhe mjeshtërisë së tij prej një krijuesi fenomenal. Piedestalin artistik ky piktor e ka arritur gjatë një zhvillimi gradual.

  Empirikja e tij kreative kalon me sukses fazat dhe formacionet stilistike të pikturës dhe të artit figurativ në përgjithësi. Shefqeti është përfaqësues i denjë i rrjedhave stilistike të artit nëpër kohë.       Nga realizmi, në kalim e sipër përmes nuancave të formave dhe rrymave të tjera kreative, ai hyn bindshëm dhe me shumë suksese në universin e impresionizmit ekspresiv, si formacion i poetikës aktuale në pikturë. Pikturën e këtij krijuesi e shquan unikja, përmes variacioneve të dendura dhe të ndryshme të ngjyrave. Gjatë pikturimit, peneli i tij është i mbushur me ngjyrë, ndaj arti i tij është intensiv. Koloriti i ngjyrave mbi pëlhurë ka një barasvlerë me një harmoni përmes kontrasteve të buta, që vijnë duke u theksuar më qartë te dy a tri ngjyra dominante. Ky artist shumësinë e ngjyrave e derdh mbi pikurat e tij, të cilat janë peizazhe dhe portrete.

Peizazhet kanë prirje të abstraksionit, saqë të kujton titullin e librit poetik të Rr. Dedajt: “Gjërat që s'preken”. Arti piktoresk i Eminit është një sublimacion kontemplativ, që afron asociacione të shumta për shikuesin që ka sy dhe shije të arsimuar në këtë lëmë. Dendësitë figurative janë krijuar me mjeshtëri fine dhe mund të vërehen dhe zbërthehen ekskluzivisht nga recepienti kritik. Pra, semantika në pikturat e këtij autori është njëkohësisht semiotike.

  Tematika në shumë piktura është referencë fiksioni, që përkon me postmodernizmin, metodë që sot përfshin të gjitha artet aktuale. Të gjithë këtë konglomerat elementesh artisti e sintetizon si esencë estetike me një durim, përkushtim e mjeshtëri prej një krijuesi të madh e që identifikohet me krijimet e veta. Siç̧ thamë dhe më sipër, tek imazhet e pikturave të tij reflektojnë të gjitha ngjyrat e mundshme e që, nganjëherë, dominojnë e kuqja, e verdha, e zeza, por edhe e bardha dhe bluja. Këtyre ngjyrave dominuese ky artist u jep edhe nuanca të tjera, që koordinohen dhe harmonizohen bukur. Sfondi në këto piktura është gjithherë një dendësi ngjyrash, e thelbi metaforik bartet kryesisht në mesin e tij jo si formë e dhënë qartë, por si një sinkronizim ngjyre me një kontrast të theksuar. Pra, në këto imazhe, mesi na del si embrion metaforik, drejt të cilit dendësohen ngjyrat, por gjithnjë duke i shërbyer asaj esenciale, siç̧ është e bardha, që në disa raste na del shpend, si zog ose pëllumb.

  Në pikturat e Eminit kemi imazhe njerëzish, peizazhesh, zogjsh, por në të shumtën e rasteve kemi imazhe abstraktive me referenca fiksionale, që nuk kapen lehtë dhe konkretisht, por vetëm me anë asociative. Imagjinata krijuese e Shefqet Avdush Eminit është e begatshme, saqë shpesh në piktura e tij hasim edhe realizmin magjik, si element koherence në trendet e artit të sotëm. Emini u përkushtohet shumë edhe portreteve. Ndaj te ky artist, ky element arti del i realizuar maksimalisht. E bukura e këtyre portreteve del në kompleksitetin e tyre.

  Në këto piktura portretesh nuk kemi vetëm vizualitet, pamje të një modeli që rri gatitu para piktorit me brushë në dorë për ta hedhur në pëlhurë a letër, por kemi portrete, pamja e jashtme e së cilave pasqyron brendësinë e tyre. Portretet e Eminit nuk janë vetëm anatomi fizike, por edhe psikologjike.   Këta njerëz sikur janë në raport komunikues me ne, sikur i shikojmë e na shikojnë, ashtu të heshtur.   Duke i parë këto portrete me ata sy drejt syve tanë, sikur na imponohet të ritheksojmë thënien e Jean-Pal Sartri-t: “Por unë ndjeva mbi vete vështrimin e njëqind e pesëdhjetë palë syve”. Këtë përshtypje e ka shprehur Sartri i madh, duke parë një ekspozitë me portrete në një muze art, ku ishte shtangur nga përshtypja, përshtypje që mund ta ketë edhe çdo vëzhgues i portreteve të Eminit. Në mesin e këtyre portreteve shpesh gjejmë edhe simbole e metafora kontekstuale, siç̧ është ai i portretit që është krijuar si reminishencë e viteve gjatë luftës së Kosovës. Në këtë portret shohim, mes të tjerash, në njërin sy një shtëpi të djegur, ndërsa në tjetrin një njeri kapuçbardhë para një femre të vdekur, ndërsa në vend të hundës një tytë arme dhe vetë portreti, një fytyrë me çehre vdekjeje duke tymosur duhan. Një metaforë mbi tmerrin dhe durimin, e trishtë dhe ironike në të njëjtën kohë. Shumica e portreteve të këtij artisti janë të stepura, të heshtura dhe u mungon buzëqeshja, si te Krishti. Ato sikur nuk kanë gjuhë për t’u rrëfyer, sepse janë portrete të pikturuara, por thonë mjaft me sytë e tyre. Po kështu, portretet e këtij autori janë të pikturuara me ngjyra të shumta, që ngjallin asociacione, emocione dhe përjetime, që s'harrohen kurrë dhe që na ndjekin pas kudo që jemi.

 Duke u bazuar në sukseset e mëdha të këtij artisti të madh, pjesëmarrës në ekspozita të shumta anembanë botës, shpërblimet dhe çmimet prestigjioze e marra, pjesëmarrja në shumë antologji koleksionesh, vlerësimi maksimal nga shumë kritikë të huaj etj., mund të themi se Shefqet Avdush Emini nga Kosova është emër i përbotshëm drejt majave të artit pamor.

Piktur vaj ne pelhur

Madhesia: 40 X 50 cm

Piktur akrilik ne pelhur

Madhesia: 60 X 80 cm

Piktur vaj ne pelhur

Madhesia: 100 X 100 cm

 

Weergaven: 11

HNKF heeft nu een besloten groep op Linkedin. Meld je aan!

© 2024   Gemaakt door hnkf.   Verzorgd door

Een probleem rapporteren?  |  Algemene voorwaarden