Het podium voor de beeldende kunstenaar hnkf.nl
Nga Gjon Marku
Piktura universale e Shefqet Avdush Eminit zë vend të epërm dhe përmbajtësor për vlerat e saj artistike.
Historia jonë e kahershme, kultura, ndjeshmëria me ngarkesa të mëdha emocionale, ndjenja, etj., shkrihen mjeshtërisht në një sfidë të vërtetë dhe ekskluzive, me aftësinë profesionale, artistike dhe kulturore të autorit në realizimin e veprave të artit. Pasi kam vëzhguar pikturën e këtij autori, që sipas mendimit tim është një zë i epërm dhe që shquhet për vlerat e thella artistike në hapësirat universale të saj, më sillen në mendje mjaft motive të veprave të këtij piktori. Në dekadat e fundit, piktura e tij ka shtuar vlera të reja në artin e të pikturuarit, me theks të fuqishëm shoqëror dhe meditativ, në të cilat, përmes simbolikës, jepen shpresat dhe ëndrrat, dhimbja dhe trishtimi, bota e dukshme dhe e padukshme. Ai tregon dhe dëshmon psikologjinë e thellë të shpirtit të tij të pasur dhe të ndjenjave të tij të thella, si dhe emocione të papërsëritshme që transmeton, duke pasqyruar përvojën e tij të brendshme në mënyrën më brilante. Për syrin vëzhgues, kjo pasqyron autopsinë e shpirtit njerëzor.
Lëvizja e pikëvështrimit të tij, që në fakt lidhet me procesin e krijimit, me njohuritë dhe idetë e autorit, por edhe me emocionet e brendshme që përçohen tek ne përmes veprave të artit, personazheve apo figurave të ndërtuara ku dritë-hijet dhe kombinimi i ngjyrave të fusin në një botë të magjishme dhe përcjellin një mesazh të fuqishëm. Përpjekja për të kuptuar dhe shpjeguar anën artistike të veprës së piktorit Shefqet Avdush Emini nuk mund të kufizohet vetëm në hetimin e ideve dhe mesazheve të saj. Duhet të shqyrtohen edhe elementet që përbëjnë mënyrën e transmetimit artistik, bartjen e idesë dhe mesazhit, si dhe gjuhën e komunikimit artistik, çka nuk është e lehtë për shkak të vlerave të larta të kësaj vepre dhe numrit të madh të veprave që piktori ka realizuar.
Piktori ka zgjedhur elementë të kombinimit të ngjyrave, hijeve dhe dritë-hijeve në mënyrë shumë individualizuese, vetjake dhe origjinale për çdo portret apo peizazh, duke i bërë ato të kenë gjuhën e vet të komunikimit me vëzhguesin dhe dashamirësin e artit figurativ.
Hetimi i personazheve apo momenteve të spikatura për t’u fiksuar në telajo lëviz në një standard kohor ku promotori dinamik i veprës së artit është kombinimi i ngjyrave dhe dritë-hijeve. Vëzhgimi i vëmendshëm, depërtimi në botën shpirtërore të personazheve apo në momentet artistike të trajtuara, të jep ndjesinë e vetëdijshme të shpërthimit dinamik të vlerave artistike të veprës në tërësi. Ka shumë piktura që, kur i vëzhgon, konstatohet se janë thellësisht interesante, duke krijuar një lidhje midis ndjesisë së piktorit, shpirtit të tij artistik dhe vëzhguesit apo artdashësit të pikturës.
Mendja dhe shpirti i një artisti nuk mund të jenë të izolueshëm, por gjithsesi duket se janë gjithnjë e gjithherë në një betejë të ashpër midis kujtesës dhe harresës, e aq më tepër kur bëhet fjalë për kujtesën në art dhe kulturë, ku heshtja duket se nuk ka vend; përkundrazi, kujtesa dhe vetëdija njerëzore gërmojnë thellë nëpër skutat e vetëdijes apo natyrës për të zbuluar pikërisht të veçantën, idealen dhe të përkryerën. Piktura vetë është antidot i mpirjes, fuqia shprehëse e të cilës na bën ne të vetëdijshëm të kuptojmë atë që jemi të aftë e që mbartim brenda vetes, e kjo është magji e ndjesisë njerëzore.
Në një grup më vete të pikturës së tij, siç janë disa prej portreteve nëpërmjet të cilave e prapa të cilave mendoj se ai e sheh qenien njerëzore në tërësi, tërësinë e shpirtit njerëzor, apo vetëdijen njerëzore si një përjetim universal, si një kuptim i largët, si një humbje të brendshme, që ndjell te njeriu herë-herë edhe dhimbjen, jo thjesht me motivin por me vetë shpirtin njerëzor dhe ndjesinë artistike që ai mbart brenda tij.
Linjat dhe furça e lirë që artisti përdor guximshëm, dhe që kjo ndodh në disa prej pikturave të tij, pasqyrojnë një stil modern dhe të guximshëm, duke i dhënë jetë portreteve përmes thjeshtësisë dhe energjisë së linjave, e nëpërmjet dritëhijeve arrin të theksojë mendimin apo karakterin e thellë njerëzor, duke krijuar një lidhje të fortë emocionale me vëzhguesin e saj.
Vetë përdorimi i penelave të lira dhe të vendosura me energji sjell një dinamizëm që e bën fytyrën të duket me një pamje të lëvizshme, duke sugjeruar një pasuri si vepër arti. Ndërsa detajet e mprehta janë shmangur në mënyrë të qëllimshme, duke e lënë fytyrën të papërkufizuar. Ngjyra e kaltër e ftohtë që mbulon shumicën e portretit krijon një ndjesi distance dhe izolimi, por kontrastet e kuqe dhe rozë rreth fytyrës sjellin një element njerëzor ngrohtësie. Ky grup portretesh pasqyron botën e brendshme të personazhit duke lënë hapësirë për gjykimin mbi mendimin që e karakterizon.
Por krejt tjetër gjë gjejmë në një grup tjetër karakteresh, ku ai në disa syresh shpreh forcën e thellë të karakterit, me një qasje të guximshme në përdorimin perfekt të ngjyrave dhe teknikave të përdorimit të furçave dhe penelave për të dhënë jo vetëm pamjen e jashtme, por edhe personalitetin e individit krijues. Ngjyrat e përziera dhe kontrastet e forta midis të kuqes, blusë e të verdhës sjellin në pah dhe pasqyrojnë një lloj drame dhe intensiteti emocional.
Shpesh figurat e portreteve, që jepen në mënyra të papërcaktuara dhe të ndara nga sfondet e trazuara, krijojnë një ndjesi të thellë emocionale. Njollat dhe goditja e furçave në fytyrën e subjektit krijojnë efekte teksture të fuqishme që nënkuptojnë një jetë të pasur me përvoja të shumta e me sfida të herëpashershme njerëzore. Po t’i referohemi ndonjë pikture, atëherë kapelja dhe mjekra sugjerojnë një njeri me histori ose me karakter të fortë; në kontrast, shprehja e fytyrës së tij dhe ngjyrat e ndezura përreth duken sikur tregojnë një reflektim të brendshëm.
Por te piktura tjetër, që po të vëzhgojmë me kujdes pikturën ekspresioniste të portretizuar, ku artisti përdor një penel të ngrohtë dhe një përzierje ngjyrash të forta për të krijuar një ndjesi të fuqishme emocionale dhe misterioze. Fytyra e paraqitur në mënyrë fragmentare, me ngjyra të trasha, pasqyron thellësinë e karakterit.
Struktura e fytyrës në dukje është e thjeshtë dhe me konture të papërcaktuara, dhe kjo e bën atë të duket sikur po shpërbëhet në hapësirë. Përzierja e ngjyrës së verdhë, të kuqe dhe jeshile krijon një kontrast të gjallë dhe sugjeron intensitetin emocional të portretit, duke tërhequr shikuesin në botën e brendshme të personazhit.
Ky lloj portreti i lë shikuesit një hapësirë të madhe për interpretim, pasi nuk paraqet detaje të sakta, por ndjenja dhe emocione të thella të koduara përmes kombinimit të ngjyrave, ku artisti përdor kontraste mes ngjyrave të forta dhe lirshmërisë së përdorimit të penelave, hijeve dhe dritëhijeve për të shprehur energjinë emocionale të personazheve, ndërkohë që detajet nuk janë të qarta, duke lënë mundësinë e interpretimit e lidhjes midis tyre dhe vëzhguesit të pikturës në dorë të shikuesit e vëzhguesit të saj.
Ndërsa kur vëzhgon pikturat abstrakte, ku kombinimi i ngjyrave të ngrohta dhe të ftohta, si portokalle, blu dhe gri, krijon një kontrast të fortë dhe një ndjenjë thellësie. Shpesh në disa piktura vërehet një qasje e lirë dhe spontane, ku përdorimi i penelave, përzierja e ngjyrave dhe ndërthurja e tyre, arrihet duke krijuar një ndjesi dinamike dhe lëvizje. Në disa raste, vendosja e zonave me ngjyrë portokalli të ndritshme në pjesën e poshtme të pikturës sugjeron një tokë ose një bazë të qëndrueshme, ndërsa ngjyrat më të errëta dhe më të ndritshme në pjesën e sipërme krijojnë një përplasje emocionesh, si një lloj energjie që shpërthen. Ndërkohë, përzierja e ngjyrave të lehta dhe të errëta afron një kontrast interesant, duke krijuar ndjesinë e një peizazhi imagjinar ose të një shpërthimi të natyrës.
Por në piktura të tjera, kombinimi i fortë i ngjyrave që ndërthuret për të krijuar një peizazh emocional dhe me përjetim të thellë, duke i dhënë pikturave vlera të larta artistike. Ai gjen mënyrën dhe ngjyrat e vendosura në pjesën e sipërme, ku zotrojnë tonet e gjelbërta dhe të verdha, sugjerojnë një lloj hapësire natyrore, ndërsa kalimi gradual në tone të errëta të kuqes dhe blusë në pjesën e poshtme të kompozimit e thellon ndjesinë e energjisë dhe dramës.
Brenda përzierjes së ngjyrave, shfaqen forma dhe linja të lira që tërheqin vëmendjen dhe sugjerojnë lëvizje. Këto linja dhe zona të përhapura duket sikur janë vendosur me qëllim për të krijuar një ndjesi të fuqishme, ku ngjyrat e kuqe dhe të zeza në bazë tërheqin syrin në një drejtim poshtë, që mund të simbolizojë një thellësi apo një ndjenjë të tensionuar
Ngjyrat e ndritshme në fund dhe goditja e bardhë krijojnë një kontrast me nuanca të thella dhe të errëta, duke theksuar një ndjesi shpërthimi apo ndriçimi në qendër të kompozimit. E gjithë piktura ka një ndjenjë të fuqishme të lëvizjes dhe të shprehjes emocionale, duke krijuar një përvojë vizuale që e bën vëzhguesin e saj të ndalet dhe të meditojë mbi energjinë e brendshme të kësaj vepre apo të veprave të kësaj natyre apstrakte.
E gjithë vepra e tij artistike është e ndërtuar mbi një lëndë të pasur jetësore dhe intelektuale që e ka burimin në përvojën personale, shkollimin e mirëshkollimit në fushën e pikturës, por dhe talentin dhe energjinë e tij të brendshme, njohuritë dhe erudicionin e tij kulturor, këmbënguljen dhe punën e vazhdueshme e të pa ndalshme të këtij piktori me vlera të epërme në fushën e artit, i cili gjithnjë e gjithherë është në kërkim të një gjuhe të vetën komunikuese në shkallën më të lartë artistike dhe që përcakton dhe parimet e krijimit të tij artistik.
Shefqet Avdush Emini, në sistemin e tij të pasur të figurshmërisë apo tipëzimeve të veçanta të vendosura në pikturat e tij, me mesazhe dhe kuptime të theksuara, janë kategori të veçanta të shprehjeve në shumësinë e temave dhe kategorive të pikturave të tij artistike. Ai na tregon se mbështetet në pikturën tradicionale që fatmirësisht ai e njeh mirë, por vetë ai, profesionalisht, arrin të krijojë pikturën e tij me një individualitet të dukshëm, dhe pse në universalitetin e saj, ajo shtrihet në një hapësirë të gjerë në kohë dhe bëhet e qëndrueshme si vlerë artistike dhe si ardhje e veçantë, e cila del prej kuptimit klasik dhe merr formën e një vepre moderne, qoftë në konceptim e strukturën e saj të shtresëzuar dhe dinamike, por dhe në thellësinë e vlerës, e cila mundëson vështrime të ndryshme, edhe pse përcjell gjithnjë një mesazh të qartë. Ai arrin që, suksesshëm, t’i japë veprës së vet vlera të tilla që e bëjnë atë të lexueshme në mënyra dhe këndvështrime të ndryshme, edhe pse secila prej pikturave më vete ka leximin dhe komunikimin e vet artistik, që në të shumtën e rasteve në to ka dhe simbolika të shumëkuptimshme.
Shefqet Avdush Emini është hulumtues i shoqërisë dhe i natyrës me një vetëdije të thellë për misionin e tij. Autori arrin të ndryshojë modelin e tij të vetëdijes njerëzore. Ka piktura të veçanta ku vuajtja përshkruese e brendshme pasqyrohet në mënyrë perfekte, duke e ngritur pikturën në misionin e vet artistik në majat e artit pamor. Kjo është shkaku që piktura e tij është individuale, shkaku i dallimit të saj dhe faktori thelbësor, përcaktues, i individualitetit të tij krijues.
Ai pikturën e tij e pasuron falë mjeteve të tij qënjësore ekzistencës së ngjyrave dhe dritehijeve që krijon me to, apstraktimit e shpesh dhe përdorimit të furçave apo penelave të lirshëm e të guximshëm që japin emocione mjaft të larta dhe që e bëjnë të ketë ndjesi të pa përsëritshme. Piktura lind nga domosdoshmëria e brendshme emocionale për t’u shprehur dhe për të komunikuar, në një mënyrë ndryshe, nga llojet e tjera të komunikimit, pra në një mënyrë emocionale e që brenda tij rrinë fshehtësisht magjia e shpirtit njerëzor.
Me pikturën e tij të larmishme si në tema ashtu edhe në gjini, brenda të njëjtës llojë të artit, ai arrin të krijojë identitetin e tij intelektual e psiko-emocional dhe jep vlera artistike të nivelit të lartë me aftësi të veçanta komunikuese dhe emocionale. Gjuha e shenjave figurative që pasqyrohet në pikturën e tij nuk e fsheh, por në shumë raste e jep atë që ai ka brenda vetes, emocionin e tij të fortë e të pa përsëritshëm.
Piktura e Shefqet Avdush Eminit nuk udhëhiqet nga koncepte apo teori të paracaktuar, por nga rrethanat dhe gjendja emocionale, nga koha, mjedisi shoqëror e kulturor, që natyrisht kanë rolin e pazëvëndësueshëm, por më kryesorja është njohja e psikologjisë krijuese, nga mendësitë, botëkuptimi, konceptet, pëlqimet, bindjet artistike, formimi kulturor i piktorit, e mbi të gjitha emocionet e brendshme që pasqyrojnë formimin kulturor për të dhënë vepra të rangut të lartë artistik, ku harmonizimi i ngjyrave, aftësia dhe shija e tij për të përzgjedhur, e po ashtu metodologjia e përcaktimit të kritereve, e kanë udhëhequr autorin në vlerësimin dhe rivlerësimin e figurave të pasqyruara prej tij. Ata që do të kërkojnë tejdukshmërinë e figurave, nuk do të mund ta gjejnë, pikërisht pse piktura e tij apo procesi i leximit të pikturës së tij lidhet me natyrën komplekse komunikuese, pasi vetë piktori ka zgjedhur të sjellë për ne ato vepra që janë piktura të mirëfillta, moderne, që ndërtohen mbi një lloj të veçantë individual e të pa përsëritshëm, mënyrën e të realizuarit dhe që komunikojnë dhe ndikojnë në estetikën e vëzhguesit të tyre, në pikëpamjen teorike Shefqet Avdush Emini, pa diskutim, është një emër i spikatur në artin e të pikturuarit, por dhe në artin në tërësi. Punimet e tij janë pranuar dhe gjenden në koleksionet e muzeve të ndryshme në botë, galeri dhe koleksione arti të shumta, ashtu si punimet e tij janë botuar në libra të ndryshëm të artit botëror, si në librin Gines apo në enciklopedi të ndryshme, si: Arti Botëror nga Greqia në Enciklopedinë e Egjiptit, me artistët internacionalë në librin e Filipinës me artistët internacionalë, e shumë vepra të tjera që studjohen në universitete. Ai, në aspektin e aktiviteteve të mëdha ndërkombëtare, është pranuar shtetërisht dhe gjendet si i ftuar nderi shumë herë, e pos saj është vlerësuar me vlerësimet maksimale për artin e tij të veçantë. Ndërsa ekspertët e artit e kanë quajtur stilin e tij si pikturë apstrakte ekspresioniste.
Ai zë një vend të epërm në këtë fushë të artit vizual. Natyrisht, vepra e tij nuk mund të mendohet të ezaurohen apo të jepen nëpërmjet një shkrimi apo në disa syresh, gjithsesi ajo gjendet në majat e pikturës së periudhës që ne jetojmë.
Vetë autori hulumton, kërkon misterin dhe krijon formën me një stil të vetin të kuptueshëm, duke u mëshuar përjetimeve të forta emocionale dhe gjuhës shprehëse artistike të një niveli të lartë. Ai ka stilin e tij që përbashkon ndjesinë e tij personale me atë sociale dhe kolektive, duke reflektuar kështu ndjesi të thella dhe të larta përjetimi të veprës si vlera artistike. Me pikturën e tij ka identifikuar dhe ka transmetuar idenë e tij domethënëse me tipare të qarta dalluese, ku identifikohen elementët e botës shpirtërore, dhe kjo vjen si rezultat i njohurive të thella të autorit nga fusha të ndryshme të artit dhe nga vëzhgimi i kujdesshëm dhe i vëmendshëm i jetës njerëzore. Piktura e tij ka ide të qarta dhe origjinale. Piktura e Shefqet Avdush Eminit ka kodet e veta të komunikimit, pikërisht pse nuk janë të huazuara prej dikujt tjetër. Sot, në fakt, po jetojmë në një botë në të cilën ka shumë informacion, por pak dije dhe akoma më pak urtësi
Weergaven: 34
Tags:
Het Nederlands Kunstenaars Forum
© 2024 Gemaakt door hnkf. Verzorgd door
.
Wordt lid van Het Nederlands Kunstenaars Forum